Droga e zbuluar në stan, justifikohet 60-vjeçari nga Lazarati: E kishte fshehur dikush tjetër
Lëndë narkotike dhe armë në stan, bariu i moshuar mohon akuzat. Hysen Brahimi, 60 vjeç, ka përfunduar në pranga pasi gjatë një kontrolli në stanin e tij në fshatin Lazarat, u gjet një sasi prej 281 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa si dhe një armë zjarri automatike model “56”. Lënda narkotike ishte depozituar në 28 thasë plasmasi ngjyrë e zezë, ndërsa bashkë me kanabisin, forcat e Policisë, gjatë kontrollit, zbuluan dhe një armë automatike model “56” së bashku me krehrit me 25 fishekë.
Në përfundim të kontrollit dhe sekuestrimit të drogës dhe armës, u vu në pranga i zoti i stanit, Hysen Brahimi. Gjatë marrjes në pyetje, Brahimi është shprehur se nuk ka lidhje me lëndën narkotike dhe armën pasi dikush tjetër mund t’i ketë fshehur në stan pa dijeninë e tij. Si provë, i moshuari ka paraqitur faktin se stani ndodhet në një tokë me pronarë të tjerë.
Nga ana tjetër, 60-vjeçari ka pranuar se bëhet fjalë për një person tjetër që ka fshehur lëndën narkotike në stanin e tij. Veç të tjerash, Brahimi e justifikoi me mungesën gati 20-ditore të tij në stan pasi gjendej në shtegtim me kopenë e të imtave në zonën e Zagorisë. “Në stanin tim kushdo mund të hyjë dhe të bëjë çfarë të dojë pasi është i parrethuar dhe i pambrojtur. Kësisoj, nuk është e vështirë që stani të shërbejë si strehë për lëndë narkotike”, ka rrëfyer 60-vjeçari lazaratas, shkruan panorama. Brahimaj ka shkuar edhe më tej me dëshminë e vet para oficerëve të Policisë Gjyqësore kur kërkoi analizim të gjurmëve të lëna në thasët e mbushur me kanabis apo dhe gjurmët në armën e zjarrit. Ndonëse ai ka kërkuar me ngulmim një gjë të tillë, dosja ndaj tij i është referuar organit të akuzës për hetime të mëtejshme.