Mbetësit e maturës, nesër nis sezoni i vjeshtës. Ja detajet edhe për formularin A3
Mijëra maturantë mbetës do të kenë mundësi të rijapin provimet e Maturës Shtetërore. Sezoni i vjeshtës starton nesër me provimin e Gjuhës së Huaj me detyrim, pra në 10 shtator dhe do të përfundojnë në datë 22 shtator me dy provimet me zgjedhje.
Këtyre provimeve do tu nënshtrohen mbi 17 mijë maturantë, që nuk kanë mundur të kalojnë me sukses provimet e Maturës Shtetërore 2014, ndërkohë që shifra e saktë ende nuk është bërë zyrtare nga Ministria e Arsimit, pasi numri mund të jetë më i madh dhe për shkak të kandidatëve që kanë plotësuar Formularin A1/Z deri në datë 5 shtator. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit tregojnë se 33% rezultojnë ngelës në një prej provimeve të Maturës Shtetërore dhe nëse mblidhen mbetësit për çdo provim, atëherë numri total i mbetësve rezulton të jetë 15.247 maturantë.
Të drejtën për të hyrë në sezonin e vjeshtës të provimeve të maturës e kanë edhe ata gjimnazistë që kanë rezultuar jo kalues në vitin shkollor 2013-2014, por në datat 2-5 shtator kanë mundur të japin me sukses një ose dy lëndë ku kishin ngelur. Për këta mijëra kandidatë kalimi me sukses i provimeve të maturës do të thotë një shans i dytë për të hyrë në universitetet publike për vitin e ri akademik. Pasi nëpërmjet Formularit A3 ata kanë mundësi të garojnë për vendet që do të mbeten vakante nga faza e parë e regjistrimit në universitet.
Testi
Provimet e sezonit të dytë të Maturës Shtetërore 2014 do të startojnë me provimin e detyruar të gjuhës së huaj, i cili zhvillohet në datë 10 shtator, më pas vijojnë me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më datë 13 shtator, tre ditë më pas do të jetë provimi i Matematikës pra më 16 shtator ku ka qenë edhe numri më i madh i mbetësve, pasi në sezonin e parë rezultuan mbi 10 mijë mbetës. Ndërsa provimet e fundit, ato të lëndëve me zgjedhje do të zhvillohen më 22 shtator. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesa të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 37 pikë. Secili prej provimeve do të zgjasin nga 2 orë e 30 minuta. Ndërsa testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, kurse 20 pyetje janë me zhvillim dhe vlerësohen me 30 pikë. Koha që do të kenë maturantët në dispozicion për dy provimet me zgjedhje është 4 orë. Sipas udhëzimit të Ministrisë të Arsimit dhe Sportit provimet e maturës në sezonin e vjeshtës nisin në orën 10:00, ndërkohë që kandidatët që kanë vetëm një provim me zgjedhje hyjnë në orën 11:30.
Mbetësit
Në sezonin e dytë të Maturës Shtetërore 2014 janë përcaktuar katër kategori që do të mund të marrin pjesë në provime. Kategoria e parë janë maturantët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime në sezonin e parë të Maturës Shtetërore, si dhe maturantët që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2013-2014, por kanë arritur ti shlyejnë detyrimet në datat 2 dhe 5 shtator 2014. Për këta kandidatë është i vlefshëm Formulari A1 për dhënien e provimeve në këtë fazë të dytë. Duke patur parasysh numrin e lartë të mbetësve në sezonin e parë të Maturës Shtetërore pritet që numri i pjesëmarrësve në provim të jetë rreth 17 mijë. Kjo pasi sipas të dhënave zyrtare në të gjitha shkollat e mesme të vendit kanë mbetur rreth 1500 maturantë të cilat nuk arritën të merrnin dot vitin pasi kishin mbetur në një apo dy lëndë. Ndërsa nga provimet e maturës kanë ngelur 33% e kandidatëve, ose 15.247 nxënës. Rekord mban Matematika me mbi 10 mijë maturantë mbetës, më pas Gjuha Shqipe dhe Letërsia me 2573, si dhe lëndët me zgjedhje me 2539 ngelës. Veç kategorisë së mbetësve në një ose më shumë provime të maturës, të drejtë për të hyrë në provimet e maturës kanë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore dhe për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar Formularin A1Z. Ndaj MAS për këtë kategori përcaktoi datat 1-5 shtator për plotësimin e Formularit A1Z. Ndërkohë që një tjetër kategori janë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm ngritur nga MAS./Gsh