Skema e mashtrimit me TVSH-në, arrestohet i riu nga Gjirokastra
Me kërkesë të prokurorit Ndini Tavani, gjykata e Tiranës ka vendosur 11 masa arresti të përfshirë në një skemë mashtrimi me pagesën e TVSH-së. Në pranga janë vënë 5 biznesmenë ndërsa 6 persona janë ende në kërkim. Personat për të cilët është dhënë masa e arrestit dyshohen se përmes një skeme mashtruese me TVSH i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 9 milionë dollarë.
Mes të arrestuarve është edhe i riu nga Gjirokastra, Dhimitraq Çelo, 23 vjeç. Vec tij jane arrestuar Bujar Morataj; Shkëlqim Hasani; Ruzhdi Murataj; Nevroz Lami; Indrit Sulaj.
Gjatë muajve Tetor–Dhjetor 2017, prokuroritë e Rretheve Gjyqësore në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, zhvilluan një hetim me qëllim goditjen e veprave penale në fushën e tatim-taksave. Tatimet njoftuan disa ditë më parë se në prokurori janë referuar dosje për 54 subjekte tregtare, me 72 autorë. Në lidhje me këto dosje priten të tjera arrestime.
Pas një hetimi disa mujor Hetimi Tatimor ka siguruar fakte dhe prova materiale se persona të ndryshëm kanë regjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, pa asnjë lloj aktiviteti, me qëllim tërheqjen e blloqeve Tatimore të TVSH-së, duke lëshuar fatura TVSH-je shitje (fiktive) për subjekte të treta.