Gruaja nga Lazarati ‘shpërthen’ me akuza në gjykatë, tregon se si policia i vodhi lekët në shtëpi
Seanca e djeshme e grupit të zjarrit të Lazaratit, ku u vra efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, u shoqërua sërish me debate dhe akuza. Në këtë seancë dëshmoi nëna e Elvis Boçit, njërit prej të akuzuarve të grupit, që ngriti armët ndaj Policisë së Shtetit. Ajo hodhi akuza për Policinë, duke thënë se ajo i ka marrë edhe paratë gjatë kontrolleve në banesë.
“Nga kontrollet e kryera në vitin 2015, më saktë pas 17 kontrolleve të ushtruara nga Policia e Shtetit nuk është gjetur asgjë. Erdhi edhe një grup hetimor dhe pas kontrollit nuk u gjet asgjë. Në datën 26 qershor erdhi Policia e Shtetit në shtëpi dhe më pyet për çunat. Më çuan në komisariat dhe më kanë nxjerrë në orën 2 të mëngjesit dhe kur kam shkuar te shtëpia në qytet, kam gjetur derën hapur. E kishin kontrolluar dhe shkatërruar shtëpinë. Për Tahirin, pritën muaj për të bërë një kontroll, ndërsa ne s’na morën as leje. Nuk është ligji i barabartë për të gjithë?! Kur kam shkuar te shtëpia në Lazarat, më kishin marrë edhe djalin e vogël. Edhe lekët që kisha në shtëpi m’i kishin marrë. Në Lazarat nuk u luftua fenomeni i drogës, por banorët. Ata që erdhën atje ishin bandë dhe jo polici. Ishte banda e Saimir Tahirit”, ka thënë ajo, duke hedhur akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit.
Më pas, fjalën e ka marrë Arbion Aliko, i cili ka bërë edhe ai akuza. “Unë dua të falënderoj që i dëshmove të gjitha”, ka thënë ai, duke iu drejtuar nënës së Elvis Boçit. “E vërteta po del, ai qelbësira, Saimir Tahiri dhe disa policë janë në ndjekje”, ka thënë Aliko, deri sa gjyqtari i ka ndërpresë fjalën. Për vrasjen e efektivit të RENA-s, Ibrahim Basha, janë nën akuzë 11 persona. Si autorë dhe organizatorë të grupit të zjarrit akuzohen dy vëllezërit, Alban dhe Arbion Aliko. Të dy rrezikojnë që të dënohen me burgim të përjetshëm, në rast se shpallen fajtorë nga Gjykata. Gjithashtu, si bashkëpunëtorë akuzohen edhe Elvis Bocia dhe Barjam Bocia. Edhe për këta të dy kërkohet nga Prokuroria dënim me burgim të përjetshëm.
Ndërsa për të pandehurit e tjerë, kërkohen 162 vjet burg në total. Bëhet fjalë për Elson Kazmën, për të cilin Prokuroria ka kërkuar 25 vjet burg, Oltian Prokon, Dervish Gabën, Ruhan Hirajn, Iljaz Xhaferrajn, për të cilët kërkon nga 18 vjet burg, si edhe për Klodian Selimin dhe Xhulio Malon, që kërkohen 10 dhe 20 vjet burg.