Festivali Folklorik i Gjirokastrës, jashtë amatorët dhe abuzuesit

Gjirokastra folk festival 2009A do ia dalë Festivali i Gjirokastrës të kthejë vëmendjen tek vlerat e nëpërkëmbura të kostumeve popullore, larg teminave e kinezërirave që rëndom hasen përreth?! A do ia dalë të sjellë melosin e vërtetë, larg spektaklit? A do mundet ti shmangë amatorët, tekstet e dobëta, tallavatë ku është ngërthyer në këto vite folklori? Së paku, ky është synimi! 

Ministria e Kulturës ka shpallur dje fillimin e përgatitjeve për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës që do të mbahet në muajin prill 2015, në bashkëpunim me Kosovën. Shtyrja e festivalit për në muajin prill bëhet sipas Kumbaros për shkak se nuk ka gjetur gati asnjë plan veprimi dhe asnjë plan financiar. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e Përgjithshme e Trashëgimisë Zhuljeta Harasani, gjatë një konference para mediave e vunë theksin tek kriteret në bazë të të cilave organizohet eventi. Kryefjala ishte origjinaliteti, autenticiteti i repertorit dhe kostumeve. Ministria publikoi dje të dhënat e një pyetësori të realizuar me bashkitë dhe qarqet. Gjendja e kostumeve popullore është shqetësuese, pasi janë vërejtur deformime, degradime e abuzime si dhe amatorizëm në paraqitjen e tyre në skenë. 

“Rezulton se gjendja e kostumeve popullore, në 8 bashki është rreth 25% shumë të dëmtuara, 40% me mungesa, 20 % të përdorshme në skenë dhe 15 % me deformime të shumta”, thuhet në njoftimin e ministrisë, ndërsa bazuar mbi këto të dhëna, janë ngarkuar Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike që në bashkëpunim edhe me specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit të ndjekin nga afër të gjitha përgatitjet që do të bëhen për këtë veprimtari duke dhënë ndihmesë për mënyrën organizative dhe të përzgjedhjes profesionale të repertorit, kostumeve dhe instrumenteve popullore. MK, ngulmon që në këtë festival do të evitohen shfaqjet që denatyrojnë folklorin, tendencat dhe elementët e tepruar spektakolare dhe amatorizmi. 

Pjesëmarrësit 
12 grupet përfaqësuese të qarqeve do të paraqiten me nga 50 artistë dhe kanë në dispozicion 30 minuta. Në programet e qarkut do përfshihen edhe vlerat kulturore që kanë minoritetet dhe pakicat gjuhësore. Pos tyre, në FFK konkurrojnë edhe 3 grupe artistike nga Kosova, 2 nga shqiptarët e Maqedonisë dhe një grup nga ata të Malit të Zi, ndërsa ftohen edhe grupe nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Sh.B.A-së, Greqisë, Turqisë, Zvicrës, si dhe do të ketë një shfaqje nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, si edhe grupe arbëreshe e arvanitas. Paraprakisht, mendohet që në festival të ngjiten në skenë rreth 1200 artistë popullorë. 

Kriteret 
Kriteret shkencore të pjesëmarrjes nuk janë hartuar ende, por me to do merret Instituti i Antro-pologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit. Instituti, i specializuar në fushën e trashëgimisë kulturore, do të saktësojë rregullat e pjesëmarrjes dhe paraqitjes në skenë të çdo grupi. Këtë herë, pritet të ketë edhe një skenografi të re më afër kërkesave të kohës. Juria e këtij festivali do të japë çmime për grupet përfaqësuese në rang qarku, për grupe zhanresh të ndryshme të folklorit dhe për individë apo bartës interpretues të ndryshëm, si edhe për poezinë popullore më të mirë, grupi me veshjet më autentike popullore dhe për diversitetin kulturor. 

Ndër masat e marra e të munguara deri më sot, MK përmend: Krijimin e një baze të dhënash për të gjitha shoqatat kulturore-artistike, rapsodë, interpretues e bartës të folklorit, ku rezulton se kemi 80 shoqata kulturore-artistike, 75 ansamble popullore, 36 rapsodë e bartës folklori, 34 orkestrina popullore, si dhe 20 artizanë prodhues të kostumeve popullore. 

Synimet 
Pas një përvoje 57-vjeçare të FFK-së, në 2015-ën synohet mbrojtja, promovimi dhe popullarizimi i vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh nga populli ynë, tërheqja e brezit të ri, evidentimi i krijimeve me karakter improvizues dhe nxjerrja në pah e krijimeve më të lashta duke ruajtur pastërtinë burimore./GSH