‘Heronjtë’ e heshtur të OSSHE Gjirokastër, elektriçistët futen me gomone në Drino për të rregulluar linjën e Lazaratit (VIDEO)
Zakonisht sa herë dëgjojmë të flitet për gomone në Shqipëri, për fat të keq mendja na shkon tek klandestinët apo kanabisi, pasi ky mjet lundrues është përdorur historikisht nga grupet kriminale në vend. Por nuk është ky rasti në Gjirokastër, ku ekipi i elektriçistëve të OSHEE-së ka ndërhyrë me një gomone për të rikthyer energjinë elektrike në fshatin Lazarat. Reshjet e dendura të tre ditëve të fundit sollën prurje të ujit në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, duke sjellë kufizim të furnizimit në disa zona.
Fshati Lazarat në Gjirokastër ishte ndër zonat e prekura, ku si rrjedhojë e daljes së lumit Drino u dëmtuan dy shtylla të tensionit të mesëm, pjësë e fiderit “Lazarat”, që lidhet me NST/Gjirokastër e Vjetër. Gjysma e fshatit qëndroi për disa orë pa energji elektrike, dhe siç shihet nga pamjet, u desh ndërhyrja me gomone për të kaluar linjën në anën tjetër të lumit. Aktualisht fshati mori energji elektrike, ndërsa ne rang vendi situata paraqitet normale. Ndërhyrja e sotme me gomone të kujton përpjekjen titanike të elektriçistit nga Dropulli, Thanas Kuremone, i cili pas përmbytjeve të dhjetorit, bente akrobaci të rrezikshme sipër ujërave të Drinos në për të rrgulluar linjat e dëmtuara.
Në raste kur ka reshje shiu dhe prezencë të madhe uji në objektet apo linjat elektrike, bazuar mbi standardet ndërkombëtare, OSHEE është e detyruar të stakojë energjinë elektrike, si masë e nevojshme për të evituar rreziqet e mundshme në popullatë dhe përkeqësim te defekteve. Kjo ka ndodhur edhe tre ditë më parë në Gjirokastër ku u përmbyt sërish nënstacioni.
©ArgjiroLajm.net