Ushtria nis aksionin për heqjen e baltës nga pallati në Gjirokastër
February 7, 2018
Mjetet e rënda të ushtrisë dhe emergjencave civile kanë nisur të heqin masivin me baltë pranë pallatit tetë katësh në lagjen ‘Kodra e Shtufit’ në Gjirokastër. Ky aksion vjen pasi ekspertët e gjeologjisë kanë dalë në përfundimin se objekti nuk rrezikon shembjen. Sonte në mbrëmje kanë qenë te pallati prefekti Astrit Aliaj dhe deputeti Flamur Golemi.
Prej disa ditësh pallati është mbajtur i rrethuar nga policia, e cila nuk lejonte banorët të hynin brenda derisa ekspertët të thonin fjalën e tyre. Dëmtimi më i madh është në banesa të katit të parë dhe të dytë, të cilat janë mbushur me baltë. Bashkia Gjirokastër ka marrë vendim për avakuimin e banorëve, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet mes prefektit dhe kryebashkiakes.