Gjirokastër, ndihma ekonomike si Telebingo. Sistemi përzgjedh vetëm çerekun e aplikantëve
Shumë familje në qarkun Gjirokastër kanë humbur ndihmën ekonomike për shkak të sistemit të ri të pikëzimit që është zbatuar nga qeveria. Në total në gjatë janarit aplikuan 1718 persona në rang qarku, por dolën fitues vetëm 454 persona. Pra rreth çereku i aplikantëve do të trajtohen me ndihmë ekonomike, ndonëse nevojë kanë më shumë. Shifrat i komunikon drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror në Gjirokastër, Magdalena Margariti gjatë një prononcimi për Tv Gjirokastra. Sipas saj skualifikimet e aplikantëve janë bërë për shkak se ata kanë pasur mangësi në dokumentacion, kanë deklaruar se mund të kenë në pronësi makinë apo s’kanë qenë të regjistruar në zyrat e punës. Por ata kanë një shans të dytë të riaplikojnë deri më datë 14 shkurt. Heqja e ndihmës ekonomike ka ngjallur zemërim të banorëve. Kujtojmë që në Tepelenë pati edhe një protestë para bashkisë për këtë çështje.