Dy institucione në Gjirokastër, 10 milionë lekë tendera për kamera sigurie (FOTO)
Në ditët e para të muajit shkurt së paku dy institucione publike në Gjirokastër kanë hapur tendera për pajisje me sistem të sigurisë me kamera. Është fjala për Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Drejtorinë e Formimit Profesional. Tenderi i AKU Gjirokastër ka vlerë rreth 3.2 milionë lekë të vjetra me TVSH. Do të blihen 4 copë kamera, si dhe disa aksesorë të tjerë, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga drejtori Besim Brahimi.
Tenderi i Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik në Gjirokastër ka një vlerë rreth 7.2 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por në dallim nga tenderi i AKU-së, ky insitucion i shpenzon këto para edhe për ruajtje me roje fizike.
‘Të kryehet ruajtja e objektit me 1.5 roje fizike, sistem alarmi dhe kamera vëzhgimi’, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga drejtori Sulo Muçobega. ArgjiroLajm.net sjell më poshtë dokumentet e të dy tenderava, që në total kapin një vlerë rreth 10.4 milionë lekë të vjetra me TVSH.