Reforma e ujit, drejtori i AKUK takime në Libohovë: Bizneset kanë afat deri më 1 mars për vendosjen e sahatit
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve, Arben Skënderi, ka qenë sot në Libohovë, ku ka zhvilluar takime në kuadër të aksionit kombëtar për reformimin e sektorit të furnizimit me ujë të pijshëm. Skëndëri është pritur në takim nga administratori i Ujësjellës-Kanalizime Libohovë, Aldi Sinani dhe inxhinieri Kristaq Jorgaqi, me të cilët ka diskutuar procesin e pajisjes me matësa të ujit të të gjithë bizneseve që ushtrojnë aktivitet në Bashkinë Libohovë.
Skënderi tha se bizneset kanë afat deri më 1 mars, në të kundërt do të ketë procedime penale sikundër edhe është bërë me dije më herët. Ai vlerësoi punën e bërë deri më tani nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime Libohovë për të ulur numrin e debitorëve dhe për të përmirësuar furnizimin me ujë të banorëve. Nga ana tjetër administratori Aldi Sinani ndau me drejtorin e përgjithshëm të AKUK problematikat kryesore që shoqërojnë aksionin e nisur prej fillimit të këtij viti, si dhe çështje të tjera që lidhen me organizimin e ndërmarrjes.
Reforma kombëtare e ujit vlerësohet si një prioritet i qeverisë. Pritet që brenda këtij viti të gjithë ndërmarrjet e ujësjellësave në vend të përmirësojnë situatën e furnizimit me ujë, performancën financiare dhe t’i japin fund shpërdorimit pa kriter të ujit.
©Libohova Online