Bashkia u jep 10 mijë lekë të vjetra për qiranë, qeveria i genjen për heqjen e baltës. Protestojnë banorët e pallatit në Gjirokastër (VIDEO)

Banorët e pallatit tetë katësh në lagjen ‘Kodra e Shtufit’ kanë protestuar mbrëmjen e sotme pranë ‘Urës së Lumit’, pasi ndjehen të braktisur nga autoritetet shtetërore; bashkia dha qeveria. Duke folur për mediat ata thonë se nga Bashkia Gjirokastër kanë marrë 10 mijë lekë të vjetra për të paguar qiranë.

’10 mijë lekë nuk të mjaftojnë të shkosh as në supermarket, jo më të paguash qiranë’, thotë një grua, e cila rikonfirmon edhe njëherë ‘ping-pongun’ mes prefektit Astrit Aliaj dhe kryebashkiakes Zamira Rami. Aliaj u thotë banorëve që zgjidhjen ta gjejë bashkia dhe nëse nuk e gjen, kryebashkiakja të japë dorëheqjen. Ndërsa Rami u thotë që zgjidhjen ta ofrojë qeveria pasi ajo nuk ka fonde.

Një banor tjetër thotë se ka filluar vetë ta heqë baltën nga ballkoni. Ai kërkon të hiqet balta dhe t’u garantohet jeta. ‘Nëse pësojnë gjë fëmijët e mi, këta do të jenë në gjak me mua’, tha një banor i pallatit, duke kërcënuar se nëse nuk marrin masat ata, do të përshkallëzojnë protestën e tyre. Kjo që po ndodh në Gjirokastër të kujton filmin ‘Koncert në vitin 1936’, ku kryetari i bashkisë gricej me prefektin për çështje kompetencash. Me ç’duket edhe Gjirokastra sot është jo larg realitetit grotesk që prazantonte ky film dekada më parë. Shihni videon më poshtë./argjirolajm.net