Dropull, shpëtohen alpinistët e izoluar në Malin e Sotirës (VIDEO)
Merr fund tmerri për katër alpinistët që u bllokuan prej ditës së djeshme në malin Murgana në fshatin Sotirë në Dropull në kufi me Greqinë. Ata janë shpëtuar mesditën e sotme pas ndërhyrjes me një helikopter. Alpinistët u bllokuan pasi ranë në një gropë në mal. 24 orë më pas Elvis Ballo 25 vjeç, Theodhori Dhima 26 vjeç, Enea Lici dhe Florentino Muho 25 vjeç u shpëtuan.
Ata kishin vendosur para dy ditësh që të ngjiteshin në malin Murgana, por dje aksidentalisht ranë në një gropë duke u bllokuar. Kontakti i fundit me familjen ka qenë dje pasdite, të cilët njoftuan më pas policinë për të ndërhyrë. Në orët e para të paradites së sotme përmes një helikopteri nga Tirana që u erdhi në ndihmë policisë lokale dhe zjarrfikësve katër alpinistët u shpëtuan. Alpinistët, njëri nga Dropulli dhe tre nga Gjirokastra kanë plagë të lehta, ndërsa janë tronditur nga ajo që ndodhi, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.