Ikën Roland Karalli, zgjidhet drejtori i ri i Spitalit të Gjirokastrës
Spitali Rajonal ‘Omer Nishani’ në Gjirokastër ka një drejtor të ri, zyrtarizimi i të cilit është çështje ditësh. Ai është Sokol Feruni, që deri më tani ka mbajtur postin e drejtorit rajonal të OSHEE-së në Gjirokastër. Në konkursin e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë, Feruni ka dalë i pari mes kandidatëve të tjerë, duke u vlerësuar në total me 87 pikë. Në garë për drejtimin e këtij institucioni kanë qenë gjithashtu edhe Alfred Bita, Kostaq Frango dhe Altin Goxharaj. Sokol Feruni zëvendëson në krye të spitalit të Gjirokastrës, mjekun kirurg Roland Karalli, i cili së fundi u shkarkua edhe nga posti i kreut të Këshillit Bashkiak pas aleancës PD-LSI. Spitali rajonal i Gjirokastrës është më i madhi në jug të vendit, por ai përballet me disa problematika, ku më kryesorja është mungesa e mjekëve specialistë dhe amortizimi i ndërtesës.