Gjirokastër, Prefekti do të ‘luftojë’ kanabisin me Lindita Rovën, Shpëtim Novin dhe Magdalena Margaritin (FOTO)

Zakonisht në Shqipëri kur do të bësh sikur punon, por që realisht të mos bësh asnjë punë, krijo Komisione Hetimore Parlamentare apo Task Forca. Kjo është një praktikë qesharake që vazhdon ende në institucionet tona. Së fundi edhe në Prefekturën Gjirokastër është ngritur një Taskë Forcë Vendore për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

“Kjo Task Forcë Vendore përbëhet nga drejtues të strukturave të veçanta të pushtetit vendor si dhe kryetarët e bashkive të këtij qarku. Nisur nga objektivat dhe prioritetet strategjike si dhe përpjekjet e vazhdueshme që po bën Qeveria Shqiptare për tu integruar në familjen europiane, Task Forca Vendore pranë Prefektit të qarkut ka hartuar Planin e Veprimit Vendor për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e Prefekturës Gjirokastër.

Me siguri që Task Forca janë ngritur edhe në qarqe të tjera të vendit, por zor të besosh se mund të shpëtojmë nga kanabisi përmes strukturave të tilla, ku në shumë raste ka edhe drejtues kot sa për numër. Për shembull në takimin e sotëm të zhvilluar në Prefekturën Gjirokastër, merrnin pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë Arsimore, Lindita Rova, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Magdalena Margariti apo drejtori i Shëndetit Publik, Shpëtim Novi. Pyetja është: Ç’punë kanë me kultivimin e kanabisit këta njerëz dhe si mund të na ndihmojnë për ta ndaluar? Apo thjesht të mbushet salla për efekt kamerash e fotosh?! Dihet që barra kryesore në këtë veprimtari kriminale është Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Sa i përket Gjirokastrës, në raportin konfidencial të SHISH, i cili u publikua në media pak muaj më parë, përmendeshin emrat e disa oficerëve të policisë si të dyshuar për implikim në kultivimin e kanabisit.

©ArgjiroLajm.net