LSI zbulon pse u larguan këshilltarët e Gjirokastrës: PS i kërcënoi me vendin e punës!
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka folur për largimet e këshilltarëve të kësaj partie drejt PS-së. Mes atyre që u larguan janë edhe dy këshilltarë në Bashkinë Gjirokastër, Ardian Hyskaj dhe Arben Rexha. I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, Vasili u mundua ta relativizonte këtë situatë. Sipas tij këto largime janë sporadike dhe kanë ndodhur rreth një vit më parë, por sot fabrikohen si ‘Fake News’ me regji të qeverisë.
‘Janë largime të mëparshme. Disa prej këshilltarëve janë nën presion nga PS-së, janë kërcënuar me vendin e punës, ndaj janë larguar. Qeveria ka disa halle të mëdha prandaj po i riprodhon këto largime për të tërhequr vëmendjen. Në Gjirokastër për shembull nga bashkimi i votave të LSI me PD u shkarkua kreu i këshillit bashkiak dhe sot e drejton opozita. Por ky është një lajm lokal dhe s’ka asnjë rëndësi ta trajtojmë. 6-7 muaj më parë kanë ndodhur këto gjëra”, tha Vasili.
Gjatë këtij muaji u larguan dy këshilltarë të LSI-së në Gjirokastër, ndërsa ditët e fundit ka pasur largime të tjera nga Bashkia Vlorë, Fier, e Belsh.