Gjirokastër, tregtari bën biznes të paligjshëm në pronën e Komunitetit Mysliman
Gjatë ditës së sotme, Autoriteti i Kombëtar i Ushqimit në bashkëpunim me Hetimin Tatimor dhe Sektorin e Krimit Ekonomik kanë kryer kontrolle në një pikë të palicencuar tregtimi mishi në rrethin e Gjirokastrës.
Sipas AKU-së, në një ambient në pronësi të xhamisë (komunitetit mysliman), me vendndodhje “Lagjja e Zejtarëve”, Pazar, ushtrohej aktivitet i paligjshëm i tregtimit të mishit, nga shtetasi Bledar Guri. Prej kontrollit rezultoi se subjekti, ishte i pa regjistruar në QKB dhe tregtonte mish të pasigurt, pa certifikatë veterinare dhe dokumente të tjera shoqëruese.
Trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të AKU Gjirokastër, menjëherë mori masën urgjente për ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit, si dhe masën administrative gjobë në vlerën 200.000 lekë.
Ndërkohe u morën dhe masa e sekuestrimit të 43 kg mish gjedhi dhe u bllokuan mjetet e punës: frigorifer, 2 peshore, makinë grirëse, 2 thika, 2 hanxharë. Këto të fundit me përfundimin e procedurave të shqyrtimit administrativ, kalojnë për ruajtje në rezervat materiale të shtetit.