Akti i tretë i aleancës PD-LSI në Gjirokastër, të hënën shkarkojnë sekretarin e PS në Këshillin Bashkiak
Fillimisht ishte emërimi i Benard Pollos si administrator i Lazaratit, më pas shkarkimi i Roland Karalliut dhe emërimi i Mimoza Comos në krye të Këshillit Bashkiak Gjirokastër. Të hënën pritet akti i tretë i aleancës së dy partive në Gjirokastër. Në mbledhjen e radhës një prej projekt-vendimeve për t’u kaluar në këshill është ai “Mbi shkarkimin nga detyra si Sekretar i Këshillit të z. Semi Golemi dhe emërimin në detyrë të Sekretarit të ri të Këshillit të Bashkisë”. Semi Golemi është zgjedhur si sekretar i Këshillit Bashkiak Gjirokastër në vitin 2015, si kandidaturë e propozuar nga socialistët. Por tashmë raportet kanë ndryshuar. ‘Tepsia’ e Bashkisë Gjirokastër është e gjitha për PD-LSI. Deri më tani nuk dihet ende se cili do të jetë propozimi i këtyre dy partive për të zëvendësuar Semi Golemin si sekretar i këshillit bashkiak.