Kalaja e Gjirokastrës, vendosen tabela informuese shqip-anglisht për turistët (FOTO)
Monumentet e Kulturës po përgatiten për të pritur turistët e huaj dhe vendas ku ekspertët dhe specialistët përkatës po i mirëmbajnë dhe vëzhgojnë ato çdo ditë . Në pritje të sezonit të ri turistik 2018, DRKK (Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare) Gjirokastër, përveç mirëmbajtjeve dhe pastrimeve të ndryshme, filloi sot zbatimin e projektit të tabelave informuese dhe orientuese në dy gjuhë shqip dhe anglisht në kalanë e Gjirokastrës.
Tashmë vizitorët vendas dhe ata nga bota, do të gjejnë informacionin e munguar prej kohësh rreth kalasë, ambienteve të veçanta të saj por edhe për qytetin e luginën që shtrihet para saj. Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, ajo vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për tu vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.