Flamur Golemi i kërkon ministres së Shëndetësisë rikonstruksionin e spitalit të Gjirokastrës
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka raportuar sot përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për punën e saj gjatë gjashtë muajve të parë të qeverisë ‘Rama 2’. Në seancën e pyetjeve që deputetët i drejtuan Manastirliut, foli edhe deputeti i PS-së në Gjirokastër, Flamur Golemi. Teksa vlerësoi sistemin e patronazhimit dhe bonusit për mjekët, si dhe rikonstruksionin qendrave shëndetësore, Golemi i kërkoi ministres investim në spitalin rajonal ‘Omer Nishani’ .
‘Unë dua që të shikohet mundësia për rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm hidraulik të ujërave të bardha e të zeza të spitalit të Gjirokastrës, si dhe përfshirja në marrjen e KEMP-it të atyre personave që realisht janë të paaftë për punë, por nuk e plotësojnë kriterin ligjor e pasjes së një viti punësim gjatë 5-vjeçarit të fundit’, tha Golemi.
Lidhur me çështjen e bonusit financiar të vendosur nga qeveria, për mjekët që pranojnë të shkojnë në spitalet e rretheve, Golemi tha se në Gjirokastër pritet që të mbërrijë një mjek tjetër anestezist.