Luftëtari ‘çon’ Gjirokastrën në Europë, fiton ndeshjen me Laçin
Luftëtari tani ka të drejtë të ëndërrojë Europën. Gjirokastritët kanë mundur 2-1 skuadrën e Laçit dhe kalojnë kurbinasit në renditje duke u pozicionuar përkohësisht në vendin e katërt në klasifikim. Një ndeshje e dominuar plotësisht nga skuadra vendase, e cila krijoi shumë raste për shënim, sidomos me dyshen e frymëzuar Abazaj-Rroca që vuri në vështirësi disa herë porterin Vata. Por goli do të vinte vetëm në fund të pjesës së parë me Bregun, pas një aksioni perfekt të gjirokastritëve.
Dominimi vendas vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ndërsa shifrat u dyfishuan nga Shkurtaj me një penallti të dyshimtë. Pak minuta më vonë, autogoli i Liçajt rihapi takimin, duke e bërë edhe me entuziazmues ndeshjen në minutat e mbetura.
Por asnjë nga skuadrat nuk arriti të gjente më rrjetën deri në vërshëllimën përfundimtare, që sanksionoi fitoren 2-1 të Luftëtarit. Tani gjirokastritët kalojnë pikërisht Laçin në renditje dhe kanë të drejtë të ëndërrojnë pjesëmarrjen në Europë me vendin e katërt, vetëm një pikë larg Partizanit që gjendet në podium.