Pistoletën në kokë, kërcënohet njeriu i Bashës në Gjirokastër (VIDEO)
Partia Demokratike ka denoncuar me forcë, kërcënimin në mes të natës me pistoletë në kokë të kryetarit të grupit të punës për organizimin e PD-së në qarkun e Gjirokastrës, Florian Xhutit, nga dy persona të paidentifkuar ende nga Policia prej 4 ditësh.
Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj nga selia blu e ka denoncuar sot këtë rast para medias, pasi vuri në dukje se PD priti që Policia të kishte kohën e duhur për të zbuluar autorët, por edhe pse kaloi koha, ata u zhdukën në drejtim të paditur. Alibeaj rrëfeu si nodhi ngjarja dhe dënoi aktin e rëndë:
“Jam këtu për të denoncuar një ngjarje të rëndë kriminale! – tha Alibeaj. – Persona të armatosur në mes të natës kanë kërcënuar me pistoletë në kokë, kryetarin e grupit të punës për organizmin e Partisë Demokratike në qarkun e Gjirokastrës, Florian Xhuti.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur, pasi Floriani po kthehej nga një takim me strukturat e partisë në Tepelenë.
Në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, mjeti me të cilin Florian Xhuti udhëtonte i vetëm, është ndaluar nga një automjet tjetër, ku ishin dy persona, të cilët ai nuk ka mundur t’i identifikojë.
Pasi i kanë zënë rrugën në një vend të pandriçuar, njëri prej personave është afruar tek mjeti i zyrtarit të Partisë Demokratike, Florian Xhuti, i ka vendosur pistoletën në kokë, duke e sharë dhe duke e kërcënuar me paralajmërimin të mos kthehej më në Tepelenë për të sharë qeverinë.
Të dy personat e paidetifikuar janë përpjekur ta zbresin nga makina Florian Xhutin, por fatmirësisht, aty ka kaluar një makinë tjetër, moment i cili është shfrytëzuar nga Floriani për të larguar armën nga koka dhe për t’u larguar.
Ai ka shkuar me urgjencë në drejtorinë e Policisë Fier ku ka bërë denoncim zyrtar për ngjarjen. Policia nga ana e saj ka marrë deklarimet e Xhutit dhe thotë se ka bërë veprimet dhe hetimet për ngjarjen. Kërcënimi me armë i përfaqësuesit të opozitës ka ndodhur afër mesnatës të së enjtes. Ne nuk e kemi denoncuar publikisht këtë ngjarje kriminale për t’i dhënë kohë policisë të bëjë detyrën për zbulimin e autorëve, por deri tani, i vetmi rezultat i saj është se autorët kanë ikur në drejtim të paditur.
Partia Demokratike e refuzon këtë përpjekje mjerane për t’i mbyllur gojën opozitës dhe përfaqësuesve të saj, që kanë denoncuar me forcë kultivimin dhe trafikimin e lëndës narkotike në Tepelenë, Memaliaj dhe në të gjithë Shqipërinë.
Duke dënuar me forcë këtë ngjarje kriminale që ka për qëllim intimidimin e opozitës dhe largimin e saj nga zonat që deri dje mbilleshin me kanabis, me lejen e Saimir Tahirit, Partia Demokratike i bën të qartë kujtdo se asgjë nuk do ta ndalë atë në denoncimin e lidhjeve të krimit më këtë qeveri në çdo nivel të saj.”