Sherri në Bashkinë Gjirokastër, Shefqeti e goditi me kokë, Aureli iu kthye me sende të forta
Policia e Gjirokastrës ka treguar për mediat më shumë detaje rreth ngjarjes që ndodhi një ditë më parë në zyrat e bashkisë, ku u dhunua nënkryetari Aurel Lapa. Sipas policisë, topografi Shefqet Alikaj, 51 vjeç, banues në fshatin Mashkullorë dhe punonjës në Prefekturën Gjirokastër, ka goditur me kokë brenda zyrës së tij, nënkryetarin Aurel Lapa, 45 vjeç. Sherri ka ndodhur pas një debati në zyrë. Më pas thotë policia, Aurel Lapa e ka goditur me sende të forta topografin Shefqet Alikaj. Të dy kanë marrë dëmtime të lehta në fytyrë, ndërkohë që si i kallëzuar në Prokurori ka përfunduar topografi Shefqet Alikaj. Ngjarjen e djeshme e dënoi kryebashkiakja Zamira Rami, ndërsa një burim nga Prefektura tha për News 24 se topografi Shefqet Alikaj kishte marrë gjysmë ore leje nga puna dhe se konflikti i tij me Aurel Lapajn ishte për çështje personale. Mësohet se konflikti mes dy zyrtarëve ishte për cështje të administrimit të kullotave.