Breshëri dëmton vreshtat e Lunxhërisë, fermerët humbasin miliona lekë (VIDEO)
Nga: BRIKENA METAJ
Reshjet lokale të breshrit gjatë kësaj fundjave rezultuan fatale për një pjesë të banorëve të zonës së Lunxhërisë. Olimbi Tarifa, një fermere nga fshati Karjan thotë se rreth 50% e prodhimit të këtij viti është dëmtuar nga breshëri. Familja e saj ka një sipërfaqe prej 12 dynymësh vresht. Reshjet e breshrit kanë prekur vetëm disa fshatra të kësaj zone. Dëmet më të shumta janë shënuar në vreshtat e mbjella në fushë në fshatrat Karjan e Kakoz.
Banorët e zonës së Lunxhërisë kanë traditë kultivimin e rrushit. Ata janë furnizuesit më të mëdhenj të rrushit dhe nënprodukteve të tij në zonën e Gjirokastrës dhe Sarandës. Por pavarësisht investimeve për kultivimin e këtij produkti, asnjë prej fermerëve nuk ka të siguruar prodhimin duke shtuar humbjet në rastet e fatkeqësive natyrore.