Fermeri dhe këshilltari nga Dropulli i shqetësuar për Spiro Kserën, i ankohet Ramës: Përse e arrestove? Përgjigjet kryeministri: Problemet e tij me tenderat nuk janë të miat…
I pari që ka marrë fjalën nga radha e dropullitëve në takimin me kryeministrin Edi Rama në fshatin Grapsh, ishte një mbështetës i Partisë Demokratike dhe anëtar i Këshillit Bashkiak. Krahas çështjeve të tjera që ai ngriti, ishte edhe arrestimi i Spiro Kserës.
“Arrestimi në mënyrë flagrante i Spiro Kserës ishte provokim. Drejtësia nuk mund të arrestonte një ministër para shtëpisë së tij në Dervician për show mediatik”, tha këshilltari i PD-së.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama i është përgjigjur.
“Qeveria nuk arreston njerëz. Arrestimet i bën prokuroria. Këtë e kam edhe për shumë kënd që duke qenë i dëshpëruar nga shumë vite padrejtësira, ka humbur durimin dhe më drejtohet mua duke thënë pse nuk fut në burg atë pse nuk fut në burg këtë. Në raport me Kserën më vjen shumë keq që e përmend, se unë kam pasur raport miqësor. I jap dorën në çdo rast që të më jepet mundësia. Problemet e tij me tenderat dhe drejtësinë nuk janë problemet e mia, janë probleme individuale të tij që zgjidhen me drejtësinë, jo me propagandë midis meje dhe teje”, i tha Rama.