Anketa e PNUD për bashkitë, Libohova lë pas Gjirokastrën për shërbimet publike
Qytetarët e Korçës, Vorës dhe Poliçanit janë më të kënaqurit në rang vendi me shërbimet që marrin prej bashkive të tyre. Indeksi i kënaqësisë së qytetarëve u mat nga një anketim që aktivizoi PNUD nëpërmjet projektit STAR në kuadër të matjes së eficencës së njësive të reja të pushtetit vendor që dolën pas reformës territoriale.
Ndërmjet të 61 bashkive, qytetarët e Korçës ata të Vorës dhe Poliçanit kanë dhënë vlerësim të lartë, teksa shihet se vlerësimet më të ulëta për shërbimet që marrin nga pusheti lokal e ka dhënë banorët e Dibrës, Fushë Arrësit, Peqinit dhe Memaliajit. Bashkia Gjirokastër renditet në grupimin e tretë të bashkive në rang vendi, ku niveli i kënaqësisë së shërbimeve publike varion nga 67.2 në 70.05%.
Në pozicionim më të mirë sesa Gjirokastra rezulton Bashkia Tepelenë, Bashkia Përmet dhe Bashkia Libohovë, me një nivel kënaqësie që varion nga 70.5% në 74.8%. Bashkia Dropull ka performancë të keqe në sytë e qytetarëve prandaj ata japin një vlerësim për kënaqësinë e shërbimeve publike që varion nga 60.01% në 63.8%. Në të njëjtin grup është edhe Bashkia Këlcyrë.
E fundit në rang qarku është Bashkia Memaliaj me një vlerësim nga 50.01% në 54.1%. Pra, në rang qarku renditja si bashkitë me performancë më të mirë sa i përket kënaqësisë së qytetarëve ndaj shërbimeve publike është kjo: Bashkia Tepelenë, Bashkia Përmet, Bashkia Libohovë, Bashkia Gjirokastër, Bashkia Dropull, Bashkia Këlcyrë dhe Bashkia Memaliaj. Anketa është zhvilluar me qytetarët të cilët kanë pasur të paktën një kontakt me zyrat/sektorët bashkiakë gjatë 12 muajve të fundit. Më poshtë harta me rezultatet për të gjithë bashkitë e vendit.