Provimi i Matematikës, ngelin 91 maturantë në shkollat e rrethit Gjirokastër
Qendra e Shërbimeve Arsimore ka nxjerrë rezultatet e testimit të Matematikës për maturantët. Në këtë provim të Maturës Shtetërore 2018 morën pjesë në total 36.135 maturantë. Sipas rezultateve, 2.274 maturantë kanë marrë notën mbetëse. Ndërkohë, 2.452 nxënës kanë marrë notën 10 në provimin e Matematikës. Sa i përket rrethit të Gjirokastrës, nga 481 maturantë, kanë marrë notën 4 në Matematikë 91 vetë. Pra, kalueshmëria ka qenë në nivelin rreth 81%.
Pjesa më e madhe e ngelësave ka qenë në radhët e maturantëve të gjimnazit ‘Siri Shapllo’, ku 18 nxënës janë vlerësuar me notën 4. Kujtojmë që pjesë e këtij gjimnazi është edhe shkolla me kohë të pjesshme. Në gjimnazin ‘Asim Zeneli’ ka marrë notën 4 vetëm një maturant. Pjesë tjetër e atyre që nuk e kaluan testin e Matematikës është në gjimnazet e tjera të rrethit. Sidoqoftë këtë vit ata që janë vlerësuar me notën 4, kanë mundësi ta ribëjnë provimin në vjeshtë.