Bëni kujdes! S’ka siguri mbi dy ura në qarkun Gjirokastër (FOTO)
Ura e Dragotit në Përmet dhe ajo e Leklit konsiderohen dy veprat infrastrukturore më problematike në Gjirokastër, për shkak të vjetërsisë por edhe gërryerjes që kanë pësuar këmbët e dy urave për shkak të rrjedhës së lumenjve. Janë specialistët e Autoritetit Rrugor Shqiptar të cilët në bashkëpunim dhe me përfaqësues së Drejtorisë së Policisë Qarku Gjirokastër pas monitorimit dhe kontrollit të ushtruar në terren kanë arritur në përfundimin e nevojës për ndëhyrje në këto dy ura. Një tjetër shqetësim për autoritetet sa i takon këtyre dy urave është dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve të tonazhit të rëndë apo ata të transportit publik. Janë pikërisht këto subjekte që rrezikojnë çdo ditë jetët e tyre duke kaluar me ngarkesa tej kapaciteteve që mund të mbajnë urat e amortizuara. Ndaj në ditët në vijim pritet të bëhet publik plani i masave që do të ndërmerren për të shmangur pasojat në jetë njerëzish që mund të shkaktojë dëmtimi i mëtejshëm i këtyre veprave.