Debati për ujin në Libohovë, Mandi i përgjigjet Shehut: Informatori i dëshpëruar që s’paguan faturat, po të gënjen edhe ty. Mos u bëni qesharak
Kryebashkiakja e Libohovë, Luiza Mandi ka reaguar pas akuzave që bëri deputeti i PD-së, Tritan Shehu, lidhur me çështjen e ujit të pijshëm në Libohovë. Përmes një deklarate, Mandi i quan të pavërteta akuzat e Shehut, si dhe e fton atë që mos bjerë në kurthin e mashtrimeve që i servirin. Ajo konfirmon se uji i burimit të Zhepës është i çertifikuar nga analizat periodike që kryen Drejtoria e Shëndetit Publik. Më poshtë deklarata e saj e plotë.
“Profesor Tritan Shehu, po t’i merrni informacionet për ujin në Libohovë nga ata që kanë refuzuar për vite me radhë të shlyejnë faturat dhe madje kanë qenë subjekt i ndërprerjes nga ndërmarrja e ujësjellësit, sigurisht që do thoni të pavërteta në reagimin tuaj. Të mos paguash ujin për vete dhe të dalësh në Facebook të qesëndisësh dynjanë, të shesësh moral apo të vësh kujën duke u fshehur pas faqeve anonime, ky është mjerim i madh. Me ç’duket ju kanë futur edhe juve në këtë ‘kurth’. Të paktën ndryshoni informatorët nga Libohova për të qenë i saktë në ato çfarë thoni. Për dijeninë tuaj dhe në respekt të atyre që lexojnë, uji i burimit të Zhepës në Libohovë është çertifikuar me analiza periodike si i pijshëm. Analiza e fundit u krye në muajin gusht.
Po në mënyrë periodike janë pastruar dhe klorifikuar depot në çdo cep të territorit, prandaj i merrni mbrapsht të pavërtetat që ju servirin informatorët e dëshpëruar nga Libohova. Sigurisht që ndërmarrja e ujësjellësit ka probleme si çdo ndërmarrje tjetër në vend, aq më tepër që me bashkinë e re ka një shtrirje më të gjerë në territor. Por kurrsesi nuk është e falimentuar dhe nuk ka fryrje artificiale të administratës. Fryrjet artificiale të administratës i bënit ju në kohën kur drejtonit Bashkinë Libohovë. Pyesni pak informatorin tuaj të dëshpëruar për punësimet që janë bërë në bashki një muaj para zgjedhjeve të 2015 dhe madje edhe pas zgjedhjeve në periudhën tranzitore. Gënjeni kur thoni se Nepravishta ka 15 minuta ujë në ditë.
Furnizohen me rreth 3 orë në ditë. Natyrisht që nuk na ka kapur deliri aq sa të themi se kjo është gjendja perfekte dhe se Bashkia Libohovë nuk ka nevojë për një ujësjellës të ri. Me buxhetin tonë kemi kryer vit pas viti investime të pjesshme në rrjetin shpërndarës. Sigurisht investime që vihen në punë, jo si ato depot 40 milionëshe të ndërtuara gabim në kohën tuaj, sa për t’i hedhur hi syve njerëzve. Për më shumë rreth kësaj pyesni informatorin tuaj të dëshpëruar! Mos u bëni qesharak duke nxirë çdo gjë nga sikleti se në 8 vite fiks, dështuat me sukses në Bashkinë Libohovë.
Kështu thonit edhe për projektin e qendrës, se nuk do të realizohej apo se ishte gënjeshtër. Ejani sot në Libohovë të shikoni ndryshimin. Njësoj siç ia dolëm me projektin e qendrës, do ia dalim edhe për ujësjellësin dhe çdo projekt tjetër që e bën Libohovën një vend më të mirë për të gjithë. Në 3 vite janë bërë investime sa kurrë më parë dhe do të vazhdojmë po në këtë mënyrë. Është problemi juaj fakti që ju pengojnë gjethet për të parë degët!al u largua në banesë”