‘Rit Brum Fest’, mjeshtrat e gatimit me bazë brumin mblidhen për herë të parë në Gjirokastër (VIDEO)
Mjeshtat e gatimit u bënë bashkë në Gjirokastër për të ndarë me qytetarët disa nga recetata tradicionale me bazë brumin. Matriana Shahini nga Përmeti paraqiti “petullat e gjyshes” dhe gatime të tjera brumi që janë transmetuar brez pas brezi. Ajo ka përfaqësur Shqipërinë në disa aktivitete ndërkombëtare, ndërsa prezantoi disa receta të cilat pothuajse janë harruar. Ajo shtoi se tendenca për pasurimin dhe modernizim e këtyre recetave po sjell dhe humbjen e tyre.
Matriana Shahini: “Të bësh një gatim me brunë në mënyrën tradicionale besoj se është gjithmonë me e shijshme se mënyra me përpunim.” Ilir Lluri, drejtor i kulturës në Bashkinë Gjirokastër pohoi se ‘Rit Brum Fest’ synon të ndikojë në ruajtjen e traditës dhe shfrytëzimin e saj në shërbim të turizmit.
Ilir Lluri: “Ky është një qytet që gëzon trashëgiminë arkitekturore, shpirtërore por një nga elementët më të rëndësishëm është trashëgimia kulinare. Është kjo ndërthurje dhe nxjerra një pah e riteve që i takojnë pikërisht brumit.”
Aktiviteti që çeli këtë vit edicionin e vet të parë kulmoi mbrëmjen e së enjtes me panairin e kulinarisë dhe festivalin e riteve të brumit, një koncert këngësh e vallesh tradicionale të harruara ndër vite.