Lakror me kokosh, qifqi dhe projekte… Kumbaro në Nepravishtë e Libohovë me studentët e Akademisë 100+ Fshatrat (FOTO)
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me studentët e Akademisë 100+Fshatrat vizituan Nepravishtën e Libohovën, për të parë parë nga afër potencialet e zonës dhe diskutuan konkretisht për projektet që ata kanë hartuar. Në Bashkinë Libohovë është përzgjedhur Nepravishta dhe Labova e Sipërme si pjesë e programit ‘100 Fshatrat’. Kumbaro dhe studentët biseduan me banorë të Nepravishtës, si dhe darkuan më pas në Libohovë për të shijuar gatimet tradicionale.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në kuadër të Programit “100 Fshatrat” krijoi Akademinë 100+ Fshatrat. Akademia mblodhi së bashku studentë te nivelit master të arkitekturës e planifikimit, projektimit të peizazhit e mjedisit, të sapo diplomuar të këtyre fushave, si edhe pedagogë të tyre, të cilët ndajnë vlerësime dhe pasione të ngjashme për fshatin dhe besojnë tek potenciali i tij për t’u zhvilluar si pikë graviteti e fuqishme.
Programi i “100 Fshatrave” është një model për të dhënë shembuj dhe për ta kthyer në një laborator, prej ku të tjerët të mund të marrin nxitjet e duhura, që nga bashkitë deri tek individët. Në javët e ardhshme do të mësohen më shumë detaje se cilat do të jenë investimet konkrete për këto dy fshatra të Bashkisë Libohovë.