‘Rilind’ Pazari i Gjirokastrës, Kumbaro: Ky është vetëm fillimi i asaj që kemi nisur. Punë të tjera fantastike na presin (FOTO)
Pas rreth dy vjetësh punime sot është inaguruar restaurimi i plotë i Pazarit të Gjirokastrës. 3,5 milionë dollarë investim, mbi 5000 m2 restaurim dhe prona të rivleresuara si asnjeherë më parë. Ministrja e Kulturës, njëherazi edhe deputete e Gjirokastrës, tregoi gjatë fjalës së saj përshëndetëse punën e fantastike të bërë mes Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, për kryerjen e këtij investimi strategjik.
“Ne nuk kishim dilemë se Gjirokastra ishte dhe mbetet një prioritet, besoj kemi qenë shumë të qartë në këtë projekt për t’i kthyer Gjirokastrës vemendjen e munguar e të merituar. I jam shumë mirënjohëse Fondacionit Shqiptaro-Amerikan. Pasi ia kishim dalë me sukses në projektet tona të përbashkëta për rijetëzimin e Bulevardit të Beratit e Pazarit të Krujës, pasi kishim nisur punën për Pazarin e Korçes, – ju miq nuk mund të hezitonit për Gjirokastrën. Dhe mirë bëtë!”, u shpreh Kumbaro.
Sipas ministres së Kulturës, me këtë investim Qafa e Pazarit u rijetëzua dhe Gjirokastra ndërroi ritmin e jetës.
“Nuk di ta them sa të lumtur më bën fakti që erdhi tetori dhe sokaqet janë plot njerez, gjirokastritë e turistë çdo natë”, shtoi më tej ministrja.
Në ceremoninë e zhvilluar pikërisht në Pazarin Historik, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama si dhe kreu i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff.