Kanceri i gjirit, kontroll falas në Spitalin e Gjirokastrës
Muaji tetor njihet ndryshe edhe si muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit. Në të gjithë vendin shërbimi i mamografisë për gratë dhe vajzat do të jetë falas. Përjashtim këtu nuk bën as Gjirokastra, ku ky shërbim u instalua për herë të parë në pranverë të këtij viti. Ndërkohë sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu teksa çeli fushatën e ndërgjegjësimit tha se për herë të parë, u garantua kura e plotë falas me herceptinë për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.
“Gjatë të gjithë muajit Tetor, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, mamografitë në të gjithë shërbimin publik do të jenë falas dhe shërbimi do të ofrohet edhe pasdite, si dhe ditën e shtunë, për t’ju dhënë mundësi sa më shumë grave, të kryejnë ekzaminimin e gjirit. Vetëm gjatë vitit të fundit, ne kemi dyfishuar shërbimin e mamografisë, duke ofruar për herë të parë këtë shërbim në Dibër, Kukës dhe Gjirokastër si dhe nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm, shërbimi ofrohet falas në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.