Ndërgjegjësimi kundër kancerit të gjirit, Kumbaro takim në Gjirokastër. Shoqëron gratë për mamografi në spital (FOTO)
Ministrja e Kulturës njëherazi deputetja e qarkut, Mirela Kumbaro, ishte këtë fundjavë në Gjirokastër për të marrë pjesë në disa aktivitete dhe për të inspektuar punimet në kantieret e restaurimit të monumenteve. Ndërkohë në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, Kumbaro zhvilloi një bisedë me gratë e një biznesi fason në Gjirokastër. Më pas një grup prej tyre e shoqëroi në kryerjen falas të mamografisë te spitali rajonal ‘Omer Nishani’. Bashkë me ministren në këtë takim ishte edhe deputeti Flamur Golemi. Pajisjet moderne për shërbimin e mamografisë në spitalin e Gjirokastrës u instaluan për herë të parë në pranverë të këtij viti. Ekzaminimet falas do të vijojnë edhe gjatë muajit nëntor. Aktualisht Ministria e Shëndetësisë garanton kurën e plotë falas me herceptinë për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.