‘Shërbimi sekret grek përdori Kacifasin në Bularat. ‘Oqi’ tregoi qartë cili është qëllimi i varrezave dhe ceremonia e përkujtimit’
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sërish për ngjarjen ‘Kacifas’ në Bularat. Sipas tij festa e ‘Oqit’ (JO-së) nuk do të festohet më në Shqipëri. Ai tha se kjo festë, dëshmoi edhe njëherë se përkujtimi i kësaj dite në Shqipëri ka vetëm qëllime shoviniste.
“Festë ‘Oqi’ këtu nuk mund të festohet më kurrë. Asnjë ‘Oqi’ nuk festohet më. Qëllimet e ‘Oqit’ janë shoviniste, Vorio Epirote. ‘Oqi’ tregoi qartë se cili është qëllimi i varrezave cili është qëllimi i ceremonisë”, tha Berisha në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo’
Ndërkohë sa i përket Kostandinos Kacifas, Berisha u shpreh se ai ishte në mënyrë të padiskutueshme një ekstremist, i lidhur me qarqet antishqiptare në Greqi. Për Berishën, ngjarja në Bularat ishte organizuar nga shërbimi sekret grek.
Ishte një ekstremist në mënyrë të padiskutueshme, fanatik, i cili me një armë me dylby qëlloi në publik ditën që ishte festa e Greqisë.
“Ngjarja në Bularat ishte sipas një skenari të mirëpërgatitur nga segmentet shtetëtore greke. Ky ishte përdorur si mish për top. Ky nuk ishte një i vetmuar, ishte njeri me lidhje, ishte një ish ushtarak, anëtar i rretheve më antishqiptare në Greqi. Në varrimin e tij nuk erdhën vetëm egërsira të Agimit të Artë, erdhën deputetë, sipas një skenari për të demonstruar Vorio Epirin. Zotër të vërtetë të marrëdhënieve me Shqipërinë janë qendrat e shërbimeve sekrete greke”, tha Berisha.
Ish-kryeministri u shpreh se qëndrimi i Shqipërisë ndaj asaj që ndodhi në varrimin e Kacifas ishte i gabuar.
“Ata që erdhën këtu dhe u sollën si pushtues në territorin e Shqipërisë, pa u përballur me gjithë procedurat ligjore, nuk duhet të dilnin nga ky vend. Nuk ishin 50 vetë që u shpallën non-grata, por të paktën 200-300 vetë”, tha Berisha.