Gjyqtari i Gjirokastrës një hap larg shkarkimit. I mbajti të fshehtë komisionit të vettingut faktin se kunati i tij është dënuar për trafik droge
Një nga kandidatët për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri, është në prag të shkarkimit nga detyra. Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit ka konstatuar se gjyqtari nuk e ka deklaruar faktin se kunati i tij është i dënuar në Greqi për trafik të lëndëve narkotike.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka thirrur në seancë dëgjimore gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri, i cili është njëkohësisht edhe kandidat për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Sipas relatores së çështjes, Pamela Qirko, hetimi për këtë gjyqtar ishte bërë në të tre komponentët, pasuri, aftësi profesionale dhe integritet.
Por ndonëse në aftësitë profesionale dhe pasuri gjyqtari doli i pastër, probleme janë konstatuar në drejtim të integritetit.
Sipas realtores Qirko, Komisioni kishte marrë informacione që kunati i gjyqtarit rezultonte i dënuar në Greqi me 20 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike.
Nisur nga ky fakt, tha relatorja, edhe ONM kishte marrë informacione në Greqi, ku ka rezultuar se informacioni ishte i vërtetë.
Por kjo gjë nuk ishte shënuar nga gjyqtari në deklaratën vetting, ndërkohë që ishte një nga pikat kryesore të pastërtisë së figurës.
Vetë gjyqtari u shpreh se nuk kishte marrëdhënie me kunatin, ndërsa në lidhje me dënimin e tij në Greqi ishte vënë në dijeni shumë kohë më vonë.
Vendimi për Enton Dhimitrin pritet të jepet në 22 nëntor ora 09:00.