Në Libohovë zbulohet një relief i rrallë
Specialistët e monumenteve të kulturës kanë evidentuar në qytetin e Libohovës, një portë të gurtë më se 200 vjet të vjetër në harkun e së cilës ndodhet i skalitur në gur një ferman sulltanor i Portës së Lartë. Sipas specialistit të monumenteve të kulturës, Vladimir Qirjaqi, fermani sulltanor – dekret a urdhër me shkrim i sulltanit në Perandorinë Osmane – është zbuluar në harkun e gurtë të portës karakteristike të Isufatëve, në qytetin e Libohovës, raportojnë mediat shqiptare. Porta gjendet në lagjen tradicionale të quajtur ‘Hoxhallarë’, në shtëpinë e familjes Isufati. “Është portë monumentale tradicionale, me çati e punuar me rrasa guri, tip i njohur gjerësisht në Gjirokastër, e ndërtuar në fund të shekullit XIX. Në një shoqëri të diferencuar ky tip porte i shërbente pronarit si pika e parë e prezantimit të familjes së tij dhe njëkohësisht e diferencimit dhe komunikimit”, ka thëne Qirjaqi për zbulimin në portën me se dy shekuj të vjetër të familjes Isufati në Libohovë.
Megjithëse këso portash janë të njohura gjerësisht në çdo shtëpi libohovite, ajo çka e bën të veçantë portën e gurtë të Isufatëve janë disa gdhendje të realizuara përgjatë harkut të saj. “Porta është e ndërtuar me blloqe guri të zi, material i cili është shumë i fortë, i rezistueshëm dhe shumë i vështirë për t’u gdhendur dhe latuar. Përdorimi i këtij materiali i jep portës një paraqitje klasike”, ka thënë inxhinieri Bexhet Çobani, i cili është edhe banor i qytetit të Libohovës.
Por krahas bukurisë dhe elegancës së saj, ajo që i ka surprizuar specialistët e monumenteve të kulturës është se mes 7 relieveve të skalitur në gur, përgjatë harkut të saj, ndodhet edhe një ferman sulltanor. “Blloku i gurtë ku ndodhet i skalitur fermani sulltanor është i vendosur në krahun e majtë, në lartësinë e çelësit të harkut. Për një njeri që ka vizituar Stambollin, pamja e këtij fermani të skalitur në gur është e shkëlqyer dhe shumë domethënëse. Shën Sofia e përfaqësuar me tri kupolat dhe mbi çdonjërën prej tyre e vendosur gjysmëhëna dhe në krah të tyre dy minaret madhështore dhe dy qiparisa monumentale si shenjë e një tempulli islam. Në qiell ka disa simbole të tjera të fesë Islame, pak të dallueshme. Fermani mund të ketë qenë edhe një leje e dhëne nga Porta e Lartë për të ndërtuar këtë shtëpi, e cila ka qenë madhështore me tri katet e gurta”, thotë specialisti i monumenteve të kulturës, Vladimir Qirjaqi.
Mes tyre bie në sy edhe skalitja në gur e shqiponjës, si simbol i Kastriotëve, një grupi amazonash, gdhendja e Pegasit, kalit të shenjtë fluturues të antikitetit etj. Pas këtyre zbulimeve interesante, specialistët e monumenteve të kulturës kërkojnë mbrojtjen dhe restaurimin e portës së gurtë të Isufatëve në qytetin e Libohovës. Sipas tyre, kjo portë për shumë vjet është lënë në harresë. Asaj i është hequr çatia dhe aktualisht është e pambrojtur.