Dëbora, izolohen në Dropull tre barinj nga Golemi
January 10, 2019
Reshjet e dendura të dëborës në Gjirokastër dhe zonat përreth, kanë bërë që këtë të mërkurë të bllokohen tri barinj në një kullotë malore në Dropull.
Barinjtë, dy prej të cilëve janë identifikuar si Alket Nikolli dhe Ali Dosti, por që të tre nga Golemi, kanë ngelur të bllokuar mbi kishën e Vodhinës.
Njëri prej tyre ka rreth 400 krerë të bllokuara në Dropull, ndërsa tjetri raportohet të ketë 1.000 krerë në Dishnicë.
Në Gjirokastër është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile për të vendosur mënyrën sesi do t’i zhbllokojnë barinjtë. Por, nga sa mësohet, autoritetet thonë se barinjtë kanë shkelur kontratat për kullotat verore. Ata do të duhej t’i kishin lënë ato që prej 30 nëntorit.