Të pathënat e një historie banale transporti udhëtarësh mes Gjirokastrës, Dropullit dhe Libohovës

Ka disa javë që linjat e transportit urban Libohovë-Gjirokastër ndodhen nën një presion të jashtëzakonshëm e të pashembullt nga policia dhe oficerë të ashtuquajturës Task Forcë e ardhur nga Tirana. Ndëshkim me gjoba, heqje apo pezullim liçence etj forma penalizimi.

Arsyeja qëndron tek një ligj i vitit 2016, i cili sanksionon se transporti ndërqytetas i udhëtarëve me urban kryhet pa ndaluar autobusi në stacione të ndërmjetme. Teorikisht mbase ky ligj është në rregull, por në praktikë zbatimi i tij është gati i pamundur, të paktën për ato bashki që qendrën e madhe urbane e kanë në një qytet tjetër. Për ta thënë më thjeshtë.

Nëse i hipën autobusit në Libohovë dhe duhet të zbresësh në Vanistër apo Dervician, për punë apo çfarëdo arsye tjetër, kjo është e pamundur. Ligji detyron autobusin të marrë udhëtarë vetëm në Libohovë dhe t’i zbresë në Gjirokastër. Pastaj për të shkuar në Vanistër apo Dervician, do duhet të marrësh linjën Gjirokastër-Dropull.

Mendoni pak sa kohë e humbur dhe kosto shtesë që ka kjo formë. Një i punësuar në Dropull, duhet të niset nga Libohova, të shkojë në Gjirokastër si fillim, pastaj të marrë linjën e Dropullit për të qenë në vendin e punës. Humbet kohë dhe paguan dy bileta. Çmenduri! Dihet që nga Libohova janë një numër i madh njerëzish që punojnë në bizneset e Dropullit, sikundër ka edhe nga Gjirokastra.

Të gjithë këta njerëz janë të penalizuar për shkak të këtij ligji, i cili së fundi ka nisur të zbatohet me zell të madh nga policia e Gjirokastrës. Mendoni pak sa i mirë do të ishte ky vend sikur policia të zbatonte po me kaq zell edhe ligje të tjera. Fjala vjen të kapte kriminelët e trafikantët që shëtisin të lirë.

Ankesave të shumta nga qytetarët, shoferët apo ndoshta edhe nga Bashkia Libohovë, policia e Gjirokastrës i ka treguar vendosmërinë për të zbatuar ligjin dhe për t’iu përgjigjur denoncimeve që bëhen tek “Komisariati Dixhital”, komisariat që për fat të keq hera herës i ngjan edhe “Qytetarit Dixhital” të Saliut. Po kush denoncon tek “Komisariati Dixhital” për pasagjerë të Libohovës që zbresin fjala vjen në Vanistër?

Me siguri që palë e vetme e interesuar në këtë histori janë linjat Dropull-Gjirokastër ose ndoshta ndonjë i apasionuar pas denoncimeve si fletërrufe. Ka disa ditë që është gjetur një zgjidhje alternative, që nuk është zgjidhje në fakt. Shoferët e autobusëve të Libohovës mbajnë me vete një listë shumëemërore të pasagjerëve që zbresin dhe marrin në fshatrat e Dropullit.

Mësohet se lista ka edhe firmë e vulë të kryebashkiakes Luiza Mandi. Kjo formë është po aq banale dhe e turpshme sa vetë terrori i policisë dhe Task Forcës mbi linjat e transportit. Nëse ti nuk ke emrin në këtë listë, as nuk hipën e as nuk zbret dot në destinacionin që do. Fjala vjen, nisesh nga Libohova për të shkuar në Kakavijë. Nuk hapen dyert e autobusit në Sofratikë.

Aq më keq kur s’ke as emrin në listën që kanë shoferët. Vazhdon udhëtimin deri në Gjirokastër, pastaj do të marrësh linjën tjetër të Dropullit. Në një kohë kur e gjithë bota po shndërrohet në një fshat global e ku hiqen barrierat për lëvizjen e lirë mes shteteve, ne udhëtojmë me lista brenda vendit. What the fuck?! Ligjet nuk janë monument kulture që s’preken. Në momentin kur ka vështirësi për zbatimin e tyre në praktikë, thjesht duhen ndryshuar.

Të marrësh copy paste një ligj nga një vend i huaj dhe të tentosh ta implementosh në Shqipëri, jo në të gjitha rastet funksionon. Ndryshoni ligjin ose mos bëni qoka me liçenca transporti vend e pavend duke krijuar një kaos të tillë, të cilin e paguajnë njerëzit që në jo pak raste ngelen rrugëve.

Kjo ka ndodhur në Libohovë së fundi dhe me gjasë do të përsëritet sërish nëse nuk i jepet zgjidhje përfundimtare. Shqipëria po shpopullohet frikshëm, qytete e fshatra zbrazen muaj pas muaji, balancat sociale po prishen… Mos i shtoni zullumet me ligje idiote që i rëndojnë më tepër njerëzit dhe ua bëjnë të vështirë jetesën.

Po qe se kjo histori banale me linjat e transportit në Libohovë do të vazhdojë, njerëzit kanë gjithë të drejtën e tyre të dalin të protestojnë, qoftë edhe duke bllokuar autostradën Gjirokastër-Kakavijë. Po po, vetëm në këtë mënyrë mund të dëgjojnë ata që sot kanë mbyllur veshët.

©argjirolajm.net