Zbardhet vrasja në Gjirokastër, dy të arrestuar. Sherri nisi pasi viktima i dehur shau disa herë autorin
Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Gjirokastër, ku një 35-vjeçar u gjet i pajetë në rrugë, policia ka zbardhur ngjarjen. Ngjarja ndodhi dje në lagjen “Zinxhira” në Gjirokastër. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se 35-vjeçari Gjergj Ajmasi u godit me sende të forta nga një 23-vjeçar. Mësohet se autori i ngjarjes është shtetasi me inicialet P. Xh., banues në lagjen “Zinxhira”, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ndërsa akuzohet se ka goditur me sende të forta të riun.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 18 vjeç, si dhe u proceduan penalisht shtetasit N. Xh., 16 vjeç dhe V. M., 14 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira” , për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi kanë qenë të pranishëm në momentet që ka ndodhur krimi dhe nuk e kanë kallëzuar atë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. Ka qenë një konflikt i çastit motivi i sherrit, pasi viktima mësohet se ka qenë i dehur. Teksa është përballur me 4 persona në lagje, dyshohet se ai i ka ofenduar dhe njëri prej tyre e ka goditur me grusht. Për pasojë, thuhet se viktima është rrëzuar me forcë në tokë dhe ka goditur kokën, duke i shkaktuar atij vdekjen. Viktima nderroi jetë rrugës për spitalin “Omer Nishani”.