Golemi hap letrat, Bashkia Gjirokastër përjashtohej nga vendimmarrja për Luftëtarin sepse kishte më pak se 30% të aksioneve
Kryetari i Bashkisë Gjirokastër ka bërë publike më shumë detaje nga prapaskenat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht me klubin e futbollit Luftëtari. Gjatë një bashkëbisedimi me futbollistë dhe njerëz të sportit në Gjirokastër, Golemi ka trajtuar disa çështje duke iu referuar dokumentacionit, që nga akt-themelimi i e deri te faturat fiktive për të rritur shpenzimet. Për të përjashtuar Bashkinë Gjirokastër nga vendimmarrja, ishte bërë qëllimisht një nen, të cilin Golemi e lexoi para të pranishmëve.
“Nëse lexon çdo nen kupton se është bërë i atillë për të marrë peng Luftëtarin dhe kontributin ndër vite të të gjithëve. Neni 17 thotë se “Asambleja e Ortakëve merr vendime vetëm nëse janë të pranishëm ose të përfaqësur aksionerë që zotërojnë më shumë se 30% të aksioneve. Bashkia ndërkohë ka 25% të aksioneve. Zotëria tjetër që e ka marrë peng me 75% të aksioneve, e ka marrë peng edhe me letra”, tha Golemi.
Pra, vendimet në shoqërinë “ANAST”, e cila bleu 75% të aksioneve të klubit Luftëtari dhe përfaqësohej nga Magdalena Tosuni, merreshin nga aksionerët që kishin më shumë se 30% të aksioneve. Bashkia Gjirokastër mbej jashtë çdo vendimmarrje sepse kishte dhe ka vetëm 25% të aksioneve. Gjatë ditës së sotme Bashkia Gjirokastër kallëzoi penalisht Bekim Halilajn, Zamira Ramin, Grigor Tavon dhe Donjaldo Hoxhen.
Bashkia i akuzon ata për “Mashtrim me subvencione”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Shpërdorimi i kompetencave”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave apo formularëve”.