Sekuestrohen 50 mijë euro në Kakavijë, nuk ishin deklaruar në kufi
Policia e Gjirokastrës njofton për sekuestrimin e një shume parash në Kakavijë, të cilat nuk ishin deklaruar në kufi. 50 mijë euro po transportoheshin nga një shtetas nga Fieri, ndaj të cilit ka nisur një procedim penal.
Njoftimi i plotë i policisë
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip “Toyota” që drejtohej nga shtetasi I. Sh., 41 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në valixhen e shtetasit I. Sh., 50.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, shtetasi I. Sh. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.