Afera 100 mijë euro me drejtorin e spitalit të Gjirokastrës, Kosova denoncon Genc Rulin: Më mori në telefon dhe më tha ai është njeriu im, po t’i bësh gjë atij zëre se ma ka bërë mua (VIDEO)
Halim Kosova ka bërë një tjetër denoncim të fortë mbrëmë për një vjedhje në spitalin e Gjirokastrës gjatë qeverisjes së PD-së. Ai ka treguar se si Genc Ruli ndërhyri për të mbrojtur drejtorin e spitalit për një aferë rreth 100 mijë euro. Ruli në atë periudhë ishte drejtuesi i listës së kandidatëve të PD-së në Gjirokastër në zgjedhjet e qershorit 2013, pra njeriu i besuar i Sali Berishës.
“Kur isha Ministër Shëndetësie më sinjalizuan për një vjedhje në Gjirokastër. Madje dy gjirokastritë më patën takuar në rrugë asokohe dhe më thanë atë e di gjithë Gjirokastra. Dërgoj direkt ekipin e kontrollit, por kisha dhe frikë se mos më shisnin rrugës dhe iu thashë shkoni deri në Tepelenë se pastaj do t’ju them se për cfarë bëhej fjalë konkretisht. Si përfundim shkuan në Gjirokastër. Dhe personi i parë që më mori në telefon ishte Genc Ruli. Deputeti numër një i listës së PD-së në Gjirokastër. “Ai është njeriu im më tha, po t’i bësh gjë atij zëre se ma ka bërë mua”, i tha Ruli-Kosovës në përpjekje për të mbrojtur drejtorin e spitalit të Gjirokastrës, i cili ishte kapur në abuzim me fondet në vlerën e rreth 100 mijë eurove.
Halim Kosova nuk e përmend me emër se kush ishte drejtori i spitalit asokohe. Ai pranon se nuk e coi më tej auditin për këtë aferë nga frika se më pas do të akuzohej prej Genc Rulit për dëmtim të PD-së në prag të zgjedhjeve. Më pas drejtori i spitalit paraqiti dorëheqjen kur PD humbi edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.
Më herët gjatë intervistës në “Open” Halim Kosova ka zbuluar ‘puçin’ që i bënë në PD, me në krye Lulzim Bashën ku zbuloi mesazhin e këtij të fundit ku i njoftoi se Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave e kishte përjashtuar. Ai shtoi se kishte disa projekte për shëndetësinë dhe për këtë ishte i gatshëm edhe të ndryshonte edhe ekip, pa përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Edi Ramën, nëse ky e fton. Po Basha ka preferuar Tritan Shehun në vend të Halim Kosovës. Shihni në videon më poshtë akuzat e plota të Kosovës.