“Q…. fshikëza”, skandal me tekstet shkollore. Reagon Nikolla: Do t’i heqim nga qarkullimi
Librat shkollorë, me të cilët pretendojmë të nxënë dije fëmijët shqiptarë, përveç gabimeve drejtshkrimore, përmbajnë shembuj skandalozë me vetëvrasje, dhunë dhe helmime. Prej kohësh familjarët edhe mësuesit hasin vështirësi në përzgjedhjen e teksteve shkollore, pasi janë një sërë shtëpish botuese që ofrojnë tekste shkollore në varësi të preferencave të mësuesve. Më poshtë do t’ju paraqesim disa nga shembujt skandalozë të mënyrës se si edukohen fëmijët shqiptarë.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla paralajmëron rishikim të të gjitha teksteve shkollore apo jashtëshkollore. Reagimi i ministers Nikolla vjen pas publikimit në rrjetet sociale të këtyre teksteve me probleme që nxisin dhunë e urrejtje.
“Është e vërtetë të gjitha këto që thoni dhe ato që denoncojnë prindërit nëpër rrjetet sociale janë të vërteta. Gjatë vitit që kaloi hoqëm 120 tekste nga shkollat, këto janë arsye më shumë për të nxitur reformën që kemi ndërmarrë për arsimin. Për ne janë të shtrenjtë fëmijët shqiptarë. Do ketë padyshim rishikim dhe heqje nga qarkullimi, nuk do lejojmë deformime të tilla në formimin e tyre”, tha Nikolla.