Akuzohet për ngacmim seksual të 3 vajzave të mitura, 61-vjeçarit nga Erindi i bien të fikët në Gjykatën e Gjirokastrës
61-vjeçari Vasil Mullaj ka dalë sot para Gjykatës së Gjirokastrës për t’u njohur me masën e sigurisë, pasi akuzohet për ngacmim seksual ndaj tri vajzave të mitura. Mesohet se 61-vjeçarit i ka rënë të fikët në sallën e gjyqit, kur po jepej masa ndaj tij. Ai ka humbur ndjenjat në sallën e gjyqit, pasi ka dhënë shpjegimin e tij për ngjarjen e para 4 ditëve. Pasi ka folur një orë, ai ka rënë përtokë dhe menjëherë gjykatësja ka ndërprerë seancën, derisa të rikthehet normaliteti shëndetësor i të akuzuarit. Burime nga Policia e Gjirokastrës konfirmojnë se prej 3 ditësh 61-vjeçari Vasil Mullaj, që kur është arrestuar, ka hyrë në grevë urie dhe nuk ka pranuar as ujë dhe as ushqim në formë proteste ndaj akuzës, që sipas tij, është e padrejtë. Gjykata caktoi ndaj tij masën “arrest me burg” për 45 ditë.