Zysha e Letërsisë në Gjirokastër sulmon Ismail Kadarenë: Ka shkruar me lapsin e partisë dhe diktaturës. Të kam zili zoti Berisha, ti je mëngjesi jonë
Në takimin e Sali Berishës në Gjirokastër, e vetmja grua që foli mes shumë burrave, gjeti të sulmonte shkrimtarin Ismail Kadare. Është fjala për pedagogen e Letërsisë, Ermelinda Kashah. Ajo tha se Kadare ka shkruar me lapsin e partisë dhe se i kishte masakruar mbiemrin. Ndërkohë për Sali Berishën pedagogia u shpreh se e kishte zili dhe e konsideronte si mëngjesin e saj dhe të shumë demokratëve që duan ringritjen e PD-së. Më poshtë pjesë nga fjala e Ermelinda Kashah.
“Kur u maturova, befas lexova romanin “Kronikë në Gur”. Në një mënyrë cinike, ta pashoq, të poshtëruar, aty gjeta mbiemrin tim Kashah, të cilin e ka masakruar shkrimtari i madh Ismail Kadare. Kuptova se ç’do të thotë fjala persekutim. E thënë troc të shkruash vetëm me lapsin e një diktature të egër ose shkurt me lapsin e partisë, por jo me lapsin e një shkrimtari. Hulumtova shumë fort për këtë roman dhe kuptova përse familja Kashah ishte persekutuar. E mora si shembull për t’ju thënë ju zonja dhe zotërinj demokratë se sot nuk ka vend për pesimizëm. Pasi Shekspiri i madh ka një shprehje të bukur kur thotë: “Nuk ka natë të gjatë pa ardh mëngjesi”. Jam shumë e frymëzuar nga kjo shprehje sepse Partia Demokratike do të ringrihet. Po cili ishte mëngjesi tonë? Mëngjesi tonë ishin “Foltoret”, ishit ju zoti Berisha, që me frymën e një lideri karizmatik mua më bën t’ju them se ju kam zili”, u shpreh Kashash.
Me sa duket militantët e Berishës nuk e kanë luftën vetëm me Lulzim Bashën, por edhe me personalitete që i kanë dhënë emër Shqipërisë nëpër botë. Nëse sot Gjirokastra njihet ndërkombëtarisht është edhe meritë e Ismail Kadaresë dhe veprave të tij me vlera të jashtëzakonshme. Linçimi i tij në qytetin e lindjes dhe nga “Foltoret” politike, as në emër të lirisë së shprehjes dhe në një shoqëri demokratike, kurrsesi që nuk mund të përligjet. Së paku Universiteti “Eqrem Çabej” ku zonja jep mësim, duhet të distancohet nga deklaratat e saj./ argjirolajm.net