Me armë në dorë, vlonjati grabit lekët e pensioneve te Posta në Gjirokastër, arrestohet në kohë rekord nga policia
Një filial i Postës Shqiptare në Gjirokastër është grabitur mesditën e sotme. Autori nën kërcënimin e armës ka hyrë brenda duke marrë një sasi të konsiderueshme lekësh nga arka dhe është larguar me shpejtësi, por falë ndërhyrjes në kohë të Policisë Gjirokastër, është bërë e mundur arrestimi i tij pak minuta pas ngjarjes.
Nga të dhënat e para mësohet si autori është një 32-vjeçar me origjinë nga Vlora, i identifikuar si Armando.K. Kapja e tij u bë në lagjen “18 Shtatori”. Por cila ishte dinamika e ngjarjes.
#LibohovaOnline mëson se grabitja ndodhi në zyrën postare në pjesën e sipërme të qytetit. Me armë në dorë i riu emigrant në Greqi, hyri brenda zyrës postare ku ndahen pensionet dhe mori një sasi të padeklaruar lekësh. Më pas ai u largua me shpejtësi për në pjesën e poshtme të qytetit.
Por falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë së Shtetit, u bë arrestimi i tij në zonën pranë Poliklinikës së lagjes “Mecite”. I riu u shoqërua për në komisariat për të vijuar me veprimet proceduriale të policisë.