Mitsotakis në Dropull, një gabim për të cilin duhet të kërkojë dikush ndjesë

Vizita e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në jug të Shqipërisë shkoi mirë. Përvec pritjes së ngrohtë që iu rezervua dhe miqësisë që ka me Edi Ramën, syrit të medias nuk i ka shpëtuar një detaj jo i këndshëm në fshatin Dervican të Dropullit. Fotoreporteri i Associated Press, Franc Zhurda, ka fotografuar fasadën e ndërtesës para së cilës qëndronin të dy kryeministrat.

Dukshëm bie në sy flamuri shqiptar në përmasa tejet të vogla krahasuar me flamurin grek. A është bërë kjo qëllimisht nga organizatorët e takimit apo ka qenë një pakujdesi? Me saktësi nuk mund të thuhet, por fakti është që kjo nuk është një pamje normale për këdo që e sheh. Nuk kishte asgjë të keqe sikur flamuri shqiptar të ishte me të njëjtat përmasa si flamuri grek.
Nuk ia vriste syrin as kryeministrit grek, i cili është realisht një lider shumë mendjehapur e europian, dhe as nuk përbënte ndonjë shqetësim për banorët vendas. Së paku ata që u morën me organizimin e takimit në Dropull duhet të kërkojnë një ndjesë për këtë episod aspak të këndshëm e që nuk i shërben miqësisë mes dy popujve dhe bashkëjetesës në minoritet. /argjirolajm.net