Berisha: Rama zbrazi Gjirokastrën, ia hoqi institucionet. Për Gjykatë Apeli do shkoni në Tiranë
Gjatë takimi në Gjirokastër, Sali Berisha foli edhe për mbylljen e largimin e disa institucioneve nga ky qytet. Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe e konsideroi këtë politikë si armiqësore.
“Kurrë mor Gjirokastra s’ka qenë pa institucione. Ia ka hequr Edi Rama me një akt armiqësor. Edhe në Perandori edhe në kohë pushtimesh, në çdo kohë ka pasur institucione këtu. E ka shndërruar Gjirokastrën në një muze, sikur s’ka njerëz. Ku janë institucionet? Vijnë e recitojnë në Qafë të Pazarit, asgjë s’kanë bërë. Kurse Edi Rama o burra ta zbrazim Gjirokastrën, t’ja heqim edhe ato drejtori që kishte. Hoqi Gjykatën e Apelit, duhet të vini në Tiranë për gjyqe. Kush ia paguan qytetarit shpenzimet? Të gjitha këto janë një apel për të vijuar revolucionin tonë të plotë deri në fitore”, u shpreh Berisha para të pranishmëve në takim.
Më tej ai përmendi edhe rrugën Kakavijë-Janinë, e cila ndërtohet nga Greqia me një kosto prej 4 milionë euro për kilometër, ndërsa në Shqipëri rruga Kavajë-Lekaj-Fier, tha Berisha, po ndërtohet me një kosto prej 7 milionë euro për kilometër.
“A ka vjedhje më të cmendur? Shikoni si na rrjepin. As kolonizatorët s’janë sjellë kështu me indianët sic sillen këta me shqiptarët”, tha Berisha.