Lumi Vjosa shpallet Park Kombëtar, 12 mijë hektarë nën mbrojtjen e shtetit
Lumi Vjosa, i cilësuar si lumi i fundit i egër në Evropë, është shpallur Park Kombëtar me vendim të Këshillit të Ministrave. Mirela Kumbaro ka bërë publik këtë të hënë vendimin e marrë dhe tha se janë 12 mijë hektarë që do jenë nën mbrojtje të shtetit.
“Kemi sot vendimin përfundimtar që e shpallim Lumin e Vjosës, lumin e fundit të egër në Evropë, Park Kombëtar. Kategoria e dytë e mbrojtjes, shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, Park Natyror.
E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje në 12.727 hektarë, që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit, të cilat së bashku me të tre degët e lumit Vjosë, lumi Drinos, lumi Bënçë dhe lumi Shushicës, bëjnë atë që quhet sot parku i parë në Evropë i një lumi të egër, siç është Vjosa”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kategoria “Park Kombëtar” është Kategoria e II-të e zonave të mbrojtura dhe nuk lejon që ekosistemet që marrin këtë titull të ndryshohen/shfrytëzohen materialisht, pasi mund të ketë specie bimore dhe shtazore, vendet gjeomorfologjike dhe habitatet me interes të veçantë shkencor.
Më tej, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro është shprehur se qeveria shqiptare ka bashkëpunuar me firmën amerikane “Patagonia”, bashkëpunim i cili do vijojë dhe më tej për detajimin e plotë të këtij vendimi.
Po ashtu, Qeveria shqiptare ka vendosur sot që të shpallë “Monument natyre” Tulipanin shqiptar. Kjo specie është zbuluar në 2003 dhe rritet vetëm në Shqipëri, në zonën e Surroit në Bashkinë e Kukësit.
“Në radhë të parë një specie e veçantë që bën pjesë në speciet e rrezikuara, tulipani shqiptar, i zbuluar si i tillë në vitin 2003. Shpallet në një lëndinë të caktuar ku rritet në Bashkinë e Kukësit, monument natyre, që është shkalla më e lartë e mbrojtjes, rreth 35 ha në njësinë administrative të Surrojit në Kukës.
Një zonë që merr këtë topologji mbrojtje. Kjo specie është në listën e kuqe ndërkombëtare që janë speciet më të rrezikuara, rritet vetëm në Shqiperi dhe në atë zonë të Shqipërisë”, vijoi ministrja Kumbaro.