Ndizet fushata në Libohovë, Nardi Hide nis takimet në terren: Vota për PD-në është e çuar dëm, kthimi pas nuk i duhet as dreqit
Slogani i socialistëve “S’ka kohë për pushim” në zgjedhjet e vitit 2021 duket se “përndjek” edhe Leonard Hiden, kandidatin e PS për Bashkinë Libohovë. Ndonëse larg nga nisja zyrtare e fushatës elektorale, ai ka zgjedhur të mos humbasë kohë, por të dalë në terren për takime me njerëzit. Së fundi ka qenë në fshatin Bulo për një bashkëbisedim me banorët.
“Një takim fantastik me banorë të Bulos, fshatit ku është bërë një punë e mirë me rikonstruksionin e rrugës sapo Bashkia Libohovë shkoi në drejtimin e duhur dhe ku së fundi ka përfunduar rrjeti i ri i ujësjellësit me furnizim 24 orë në ditë. Vijimësisht s’ka munguar as mbështetja me subvencione për fermerët sipas aplikimeve në Skemën Kombëtare dhe sistemimi i kanaleve vaditëse e kulluese. E megjithatë kemi ende shumë punë për të bërë, rrugë të tjera të brendshme për të sistemuar e ndërhyrje të tjera të domosdoshme në ndihmë të banorëve”, thotë Hide.
Më tej kandidati i PS thekson se vota për PD-në në këtë rast është mundësi e shpërdoruar dhe zhbën punën e bërë deri më tani në Libohovë.
“Që projektet tona të vijojnë dhe Bulua të ketë vëmendjen që pati këto vite, nuk ka asnjë alternativë tjetër më të mirë sesa vota për Partinë Socialiste. Po të mos ishte kjo vëmendje, nuk do të ishte bërë as rruga as ujësjellësi, dy investime madhore për këtë fshat. Prandaj kërkoj besimin tuaj në 14 maj për të vijuar punën në Bulo dhe në tërësi në Bashkinë Libohovë. Dhe mos harroni, vota për PD-në që s’di ku ka kokën, është votë e çuar dëm, mundësi e shpërdoruar, kthim mbrapsht që si duhet as dreqit”, shkruan Hide në një postim në faqen e tij në Facebook.